Marotta flet si zikaltër: Sot fillon një cikël fitues, Spalletti të punojë i qetë
Pritja mori fund në orën 14:00 të ditës së sotme, kur Giuseppe Marotta u emërua edhe zyrtarisht në postin e Administratorit të Deleguar vetëm për aspektin sportiv, në klubin e Interit.
Lajmi u bë i ditur nga vetë klubi zikaltër, që postoi një video të shkurtër të ish drejtuesit juventin, i cili tha edhe fjalët e para si pjesë tashmë e klubit të Interit.
“Nga sot, bëj pjesë në Interin e madh. Ky është një moment krenarie të madhe për mua, që do të mbuloj postin e Administratorit të Deleguar për zonën sportive. Është një eksperiencë shumë e rëndësishme për jetën time profesionale, e mbushur plot me përgjegjësi. Kjo nuk më tremb, pasi po fillon një rrugë e re dhe shpresoj të jetë fituese”, deklaroi zyrtari më i ri zikaltër.
Më pas zyrtari i ri i klubit zikaltër foli edhe për Luciano Spallettin, trajnerin aktual të Interit, për të cilin mediat kanë raportuar se është në rrezik shkarkimi, pas rezultateve të muajit të fundit.
“Spalletti është një trajner shumë i mirë, që di të bëjë detyrën e tij. I takon shoqërisë ta mbështesë dhe t’i qëndrojë në krah, për të ecur bashkë drejt arritjes së objektivave. Ai duhet të punojë i qetë, pasi na ka neve pas shpine, që jemi gati ta ndihmojmë për çdo gjë”, deklaroi Marotta.



