Partizani-Kukësi, kur mungesa e tifozëve ndikon në lojë!
Partizani-Kukësi nuk ishte ndoshta ndeshja më e bukur për t’u parë e këtij kampionati por ishte gjithsesi një përballje me rivalitet mes dy skuadrave që treguan ndaj njëra-tjetrës se në mos nuk kanë gjetur ende perfeksionin në lojën e tyre gjithsesi kanë arritur një lloj qëndrueshmërie që garanton se deri në fund do të jenë rivale të denja për njëra tjetrën në garën për titullin. Ajo që të vriste sytë në Selman Stërmasi, në ndeshjen më të rëndësishme të javës së 17-të ishte mungesa e tifozëve, në një kampionat që përtej cilësisë që ofron në fushë po shndërrohet në të heshtur në tribuna, teksa një pjesë e mirë e sfidave të Superiores, për shkaqe disiplinore herë herë dhe të evitueshme po luhen me dyer të mbyllura duke i hequr lojës pjesën më të bukur të saj, tifozerinë.
Në fushë rezultati që u prodhua ishte i drejtë për atë që skuadrat shfaqën, me Kukësin që ndoshta meritonte diçka më tepër, por që në total rezultoi një 90 minutësh me dy fytyra, me Partizanin që pati kontrollin në 35 minutat e para me Kukësin që ishte më këmbngulës në pjesën tjetër duke u penguar në rrugën e golit vetëm nga Alban Hoxha. Partizani tregoi dhe njëherë tjetër se ka një lloj balance në lojë që është kërkuar shumë nga Gega dhe që duket se ja ka arritur plotësisht, me një skuadër të ndërgjegjshme për kufijtë e saj ndërsa Kukësi pas fillimit të vështirë, për të katërtën ndeshje nuk pësoi dhe mbi të gjitha në katër javët e fundit ka marrë në total 10 pikë duke treguar se te verilindorët është rikthyer entuziasmi por dhe rezultatet e viteve të shkuara duke konfirmuar se janë padyshim një ekip që ecurinë pozitive e gjejnë me kalimin e disa javëve siç po konfirmon ky sezon.



